15 korrik 2026 – Fitorja spektakolare e Argjentinës ndaj Anglisë dhe kualifikimi në finale ishte tema kryesore e diskutimit në studion e “Kampionët e Botës” në Tv Klan. U analizua përmbysja e jashtëzakonshme prej amerikano-jugorëve, duke vlerësuar dominimin e tyre në fushë dhe duke kritikuar ashpër paraqitjen e Anglisë.

“Po flasim për ekipin më të mirë në botë, me tifozët më pasionantë. Është një nivel superior. Argjentina e dominoi totalisht lojën pas pësimit të golit. Edhe pse Anglia kishte një mbrojtje shumë shtatlartë, Argjentina vazhdonte të këmbëngulte dhe golat i shënoi pikërisht me krosime. Trajneri i Anglisë bëri zgjedhje shumë të dobëta. Argjentina e meritoi plotësisht fitoren, ndërsa Anglia ishte zhgënjyese. E nisi ndeshjen me topa të gjatë, ndërsa Argjentina luajti e qetë dhe pa presion. Nuk duhet harruar se kjo skuadër e fitoi Kupën e Botës edhe katër vite më parë”, u shpreh Alban Bushi.

Më pas, moderatorja Marina Vjollca iu drejtua Arjan Peços me humor, duke e pyetur: Pse po i qeshje Bushit?

“Tani që ka fituar ekipi i tij, ndihet mirë”, u përgjigj Peço, përpara se të analizonte edhe ai ndeshjen.

“Ekipet e Amerikës Latine i imponohen kundërshtarit. Pas golit, ishte vetëm Argjentina në fushë. Trajneri Tuchel bëri një gabim kolosal me formacionin. Argjentina kishte diferenca të mëdha dhe edhe goli i dytë ishte po ashtu i merituar. Argjentina është paketë komplete, ka eksperiencën, ka Messi-n. E çoi Anglinë përsëri, për të disatën herë, në shtëpi”, tha ai.

Edmond Kapllani u ndal te zgjedhjet taktike të trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, duke theksuar se skuadra angleze nuk reagoi siç duhej ndaj presionit të Argjentinës.

“Tuchel bëri gabim. Duke parë trysninë e Argjentinës, nuk mund të shkosh me bllok të ulët dhe të qëndrosh statik. Nuk kishte më asnjë lloj aktiviteti, këtë nuk e kuptova. Skuadra e Anglisë kishte mbaruar edhe nga ana fizike.”

Sokol Haxhia vlerësoi performancën e Lautaro Martinez në fushë.

“Lautaro Martinez është kafshë goli. Nuk është se Argjentina pati ndonjë strategji të veçantë, Tuchel ia dha ndeshjen lisho. Anglia u kthye mbrapsht. Ende mendoj se ky është një nga Botërorët që mua nuk më ka lënë asgjë brenda. Mbaj mend Botërorë me ndeshje shumë të forta, ndërsa ky ka qenë shumë i vakët”, u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Kastriot Çaushi, i cili tha se e kishte parashikuar triumfin e Argjentinës.

“Kam dëshmitarë, po bëhem edhe sot profet. I thashë Albanit se këta të Argjentinës kanë dritë në fytyrë. Sonte fitoi futbolli latin, me shpirt, i saktë. Po t’i shikosh rastet para portës së Anglisë, rezultati duhej të ishte edhe më i thellë”, përfundoi Çaushi.


/tvklan.al