Lionel Messi është rikthyer në Argjentinë një ditë më vonë se pjesa tjetër e kombëtares.

Kapiteni i “Albicelestes” do të kalojë disa ditë pushimi në qytetin e tij të lindjes, Rosario, përpara se t’i bashkohet sërish Inter Miamit, që është në mes të sezonit të MLS-së.

Pas përfundimit të Kupës së Botës, në Argjentinë vazhdon debati mbi të ardhmen e 39-vjeçarit me fanellën e kombëtares.

Edhe pse tifozët besojnë se Messi ka ende shumë për të dhënë, është e qartë se karriera e tij ndërkombëtare po i afrohet fundit.

Megjithatë, deri tani vetë Messi nuk ka dhënë asnjë sinjal se po mendon të tërhiqet.

Ndryshe nga viti 2016, kur pas humbjes në finalen e Kupës së Amerikës njoftoi largimin nga kombëtarja, për të ndryshuar më pas vendim dhe për t’u rikthyer me fanellën e Argjentinës.

Objektivi më i afërt për yllin argjentinas mbetet Copa América 2028.

Gjithçka lë të kuptohet se turneu do të zhvillohet sërish në Shtetet e Bashkuara, ku Messi luan aktualisht me Inter Miamin, klub me të cilin ka kontratë deri në fund të vitit 2028.

Kjo mund të jetë një arsye shtesë që ai të vazhdojë edhe për disa vite me kombëtaren.

Nga ana tjetër, Botërori i vitit 2030 duket një sfidë shumë më e vështirë, pasi Messi do të jetë 43 vjeç, një moshë që e bën thuajse të pamundur ruajtjen e nivelit të kërkuar në një kompeticion të tillë.

Për momentin, asgjë nuk është vendosur.

Pas më shumë se dy dekadash me fanellën e Argjentinës, Lionel Messi e ka fituar të drejtën që vetë të vendosë se kur do t’i japë fund aventurës së tij me kombëtaren.

Ndeshjet miqësore të muajit shtator mund të japin sinjalet e para, por vendimi final do t’i përkasë vetëm legjendës argjentinase.

Klan News

/tvklan.al