Pak ditë pas përfundimit të Botërorit 2026, polemikat rreth Argjentinës nuk janë shuar. Përkundrazi, ato kanë marrë përmasa globale përmes një peticioni online që kërkonte përjashtimin e përhershëm të kampionëve të botës 2022 nga Kupat e Botës.
Nisma, e quajtur “Argentina Out”, ka mbledhur mbi 23 milionë firma nga 170 vende të botës në më pak se një javë.
Edhe pse peticioni nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe nuk pritet të ketë pasoja konkrete, numri i jashtëzakonshëm i firmave e ka afruar atë me rekordet botërore për peticionet më të nënshkruara ndonjëherë.
Në tekstin e peticionit akuzohen FIFA dhe arbitrat se kanë favorizuar Lionel Messin dhe Argjentinën gjatë turneut.
Organizatorët pretendojnë se rezultatet ishin të paracaktuara, duke u bërë thirrje institucioneve të futbollit që t’u japin, sipas tyre, “një mundësi të barabartë të gjitha kombëtareve”.
Pakënaqësia ndaj Argjentinës ishte shtuar gjatë gjithë Botërorit.
Në rrjetet sociale u diskutuan disa vendime të debatueshme të arbitrave në favor të skuadrës së Lionel Scalonit, ndërsa polemika shkaktoi edhe mungesa e ndëshkimeve për shfaqjen e një banderole me mesazh politik pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale.
Debati u thellua më tej pas tensioneve dhe përleshjes në finalen ndaj Spanjës, për të cilën procedurat disiplinore vazhdojnë ende.
Për shumë tifozë, peticioni ishte një formë proteste ndaj mënyrës se si u administrua turneu.
Ndërsa për të tjerë, ai është një shembull se si rrjetet sociale mund të shndërrojnë pakënaqësinë sportive në një fenomen global.
Edhe pse FIFA nuk ka reaguar ndaj kësaj nisme, peticioni dëshmon se Botërori 2026 do të mbahet mend jo vetëm për futbollin e luajtur në fushë, por edhe për debatet dhe polemikat që vazhdojnë edhe pas mbylljes së turneut.
Klan News
/tvklan.al








