Presioni i çmimeve në ekonominë shqiptare ka shënuar një rritje të re gjatë muajit Tetor.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se xhepat e qytetarëve shqiptarë kanë ndjerë sërish një rritje të çmimeve teksa norma vjetore e inflacionit ka prekur shifrën 3,4%, nga 2,3% që ishte në Tetor të vitit të kaluar.

Faturën më të rëndë për buxhetin e familjeve vijojnë ta japin ushqimet, të cilat u shtrenjtuan me 4% brenda një viti.

Por rekordin e rritjes vjetore e mban sërish transporti, me një hov prej 11,4%.

Ndërkohë, fasha e banesës qira, ujë dhe energji ka shtuar rreth 0,56 pikë përqindje në treguesin e përgjithshëm.

Po çfarë ka ndodhur krahasuar me muajin e kaluar?

Çmimet e konsumit raportohet te jenë rritur mesatarisht me 0,5%.

Rritjen mujore më të lartë e kanë shënuar veshjet dhe këpucët me 1,5%, të ndjekura nga ushqimet me 1,2%.

I vetmi element lehtësues vjen nga sektori i transportit, i cili ka shënuar një ulje mujore të çmimeve me 1,4%, duke frenuar sadopak ritmin e përgjithshëm të treguesit.

/tvklan.al