Korça ka mirëpritur gjatë kësaj jave edicionin e 16-të të Kolonisë Ndërkombëtare “Ditët e Mios”. Piktorë vendas, nga Ballkani, Evropa dhe vende të tjera hodhën në telajo frymëzimet e tyre nga natyra e juglindjes, përditshmëria, abstraksionet dhe simbolika realiste.

Një udhëtim ngjyrash e dimesionesh artistike që u kurorëzua në ekspozitën përmbyllëse të këtij edicioni, ku drita e vjeshtës korçare erdhi përmes syrit krijues të 20 artistëve ndërkombëtarë dhe vendas.

Telajot u dominuan nga peizazhet dhe ngjyra e stinës, ndërtesat karakteristike, rrugicat e vjetra me kalldrëm dhe horizonti i gjerë i fushës së Korçës, të cilat u shndërruan në muza kryesore për të gjithë krijuesit.

Për piktorët, simpoziumi shërbeu si një urë lidhëse mes traditës së mjeshtrit Vangjush Mio dhe frymëzimit bashkëkohor.

Kolonisë nuk i  munguan as prurjet nga më të largëta, ku artistë me rrënjë shqiptare sollën përvojën e tyre ndërkombëtare, duke e ndërthurur dashurinë për vendin me emocionin universal të artit.

Fawaz Arnout, artist nga Dubai me prejardhje shqiptare, e sheh këtë ngjarje si një shkëmbim të çmuar mes kulturave dhe emocioneve njerëzore.

“Unë kam lindur në Siri, por stërgjyshi im ishte nga Shqipëria. Unë jetoj në Dubai dhe kam 42 vjet që punoj dhe jetoj atje, dhe tani jam ende në Dubai. Kam marrë pjesë në shumë simpoziume në mbarë botën, dhe kjo është hera e tretë për mua në Shqipëri. Më pëlqen Shqipëria, më pëlqejnë njerëzit, janë shumë të sjellshëm”, tha artisti nga Dubai, Fawaz Arnout.

Me paletën e pasur të vjeshtës, harmoninë e rrugicave, ndërtesave dhe madhështinë e fushës së Korçës, “Ditët e Mios” është kthyer në një traditë të bukur që bën bashkë artistë të njohur dhe të rinj.

Klan News

/tvklan.al