09 nëntor 2026- Gazetari i kronikës, Eni Ferhati, solli detaje interesante nga dosja hetimore për Ergys Agasin, ndërsa tha se për të arrestuar atë ishte praktikisht një mision shumë i vështirë pasi ai kishte nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Policinë.

Ai theksoi në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ka përdorur targa makine të paidentifikuara, të cilat i janë vënën në dispozicion nga Policia e Elbasanit.

“Diçka interesante nga dosja, jo vetëm SHISH, por edhe Policinë e ka pasur nën kontroll Ergys Agasi. Të arrestoje Ergys Agasin ishte praktikisht e pamundur.

Del në fakt një detaj, që ai përdorte disa targa të paidentifikueshme që i ishin vënë në dispozicion nga Policia e Elbasanit.

Agasi ka lëvizur shpesh edhe drejt zonës së Laçit, të paktën dy herë del sipas ekspertizës që SPAK ka bërë ndaj aparateve celularë.

Nuk dihet se kë ka takuar në zonën e Laçit. Ka dyshime të forta se ai strehohej në rezidencën qeveritare në Durrës.

Kjo del po ashtu nga komunikimet që ka patur me një person, i cili e ndihmonte të lëvizte jo vetëm në Durrës, por edhe në zonat e tjera të vendit“, tha ai.

/tvklan.al