Në prag të sfidës gjysmëfinale të Botërorit, mes Francës dhe Spanjës, të ftuarit bënë analizën e tyre në emisionin “L’America” në Tv Klan.

Ish-futbollisti Arjan Peço, deklaroi se Francë-Spanjë është finalja e vërtetë e Botërorit, pasi i cilësoi si dy ekipet më të mira të turneut.

“Kjo është finalja e këtij Botërori. Për mendimin tim janë dy ekipet më të mira të Botërorit. E njohin mirë njëra tjetrën. Janë përballur me njëra tjetrën. Ngjasojnë, por janë edhe ndryshe në të njëjtën kohë. Franca luan më tepër në tranzicionin e shpejtë, kur fiton topin dhe më pas me katër sulmuesit e tij. Spanja është ekipi i tiki-takës. Nuk është ekipi që luan tiki-takën si dikur, por janë shumë vertikalë. Spanja bën tiki-takën, por vertikalizon shpejt dhe merr kontrollin e ndeshjes”, deklaroi Peço.

Në analizën e tij, trajneri Alban Bushi, deklaroi se Spanja do të kontrollojë mesfushën dhe e sheh favorite ndaj Francës.

“Ka qenë një Botëror me emocione dhe i bukur. Janë shfaqur ekipet e vogla, që dikur humbnin me shumë gola, ndërsa tani luajnë si të barabartë me të mëdhatë.

Franca dhe Spanja janë dy filozofi ndryshe. Unë mendoj se mesfusha do të kontrollohet nga Spanja. Nuk ka ekip në botë që mund ta bëjë këtë më mirë se Spanja. Kjo i leverdis Francës, sepse ka sulmues të shpejtë. Filozofia e Spanjës është që e merr topin aty ku e humb. Spanjën e shikoj shumë favorite, sepse ka kualitet dhe teknikë”, deklaroi Bushi.

/tvklan.al