Prokuroria e Posaçme vuri në hetim ish drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hysenin, edhe për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Rëndimi i pozitës penale të ish zyrtares është bërë në 30 tetor, pas vendosjes në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe akuzat janë bërë të njohura në Gjykatën e Posaçme të Apelit në 3 nëntor.

Dyshimet e reja janë ngritur pas disa të dhënash që SPAK ka gjetur në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi, mbi disa shënime për transferta bankare.

Këto transferta të kryera në dy raste në mars të 2024, me një shumë prej 500 mijë eurosh, sipas SPAK kanë përfunduar në një kompani në Gjermani, e lidhur me vëllain e Hysenit.

Për shkak të raportit të ngushtë që SPAK thotë se ka konstatuar mes kësaj të fundit dhe biznesmenit Ergys Agasit, dyshohet se këto transaksione janë në formën e ryshfetit.

Më herët ish drejtoresha e SHISH-it ishte vënë në hetim për përkrahjen e Agasit gjatë kohës që ishte në kërkim dhe dhënien e informacionit që siguronte për shkak të detyrës që mbante.

Ergys Agasi ndodhet në qeli që prej gushtit, në hetim nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal që paracaktonte tenderat në institucionin e AKSHI-t.

/tvklan.al