Botërori 2026 nuk solli vetëm një kampion të ri, por ndryshoi edhe hierarkinë e futbollit botëror. Pas përfundimit të turneut, tregu i transferimeve ka përditësuar vlerësimet e yjeve dhe në krye të listës janë dy emra që përfaqësojnë të ardhmen e futbollit, Lamine Yamal dhe Erling Haaland. Spanjolli dhe norvegjezi vlerësohen me nga 220 milionë euro secili, duke u bërë futbollistët më të shtrenjtë në histori. Një rekord i paprecedentë, pasi për herë të parë një lojtar kapërcen kufirin simbolik të 200 milionë eurove.
Yamal fitoi këtë status pas një Botërori të jashtëzakonshëm me Spanjën kampione, ndërsa Haaland konfirmoi edhe një herë forcën e tij si një nga sulmuesit më dominues të futbollit modern. Pas tyre renditet Kylian Mbappé. Sulmuesi i Real Madridit, autor i 10 golave me Francën në Botëror, ruan një vlerë prej 200 milionë eurosh dhe mbetet një nga yjet më të kërkuar të tregut europian.
Ngjitjen më të madhe e ka bërë Michael Olise. Anësori i Bayern Munich vendosi rekordin e asistimeve në një Kupë Bote dhe tashmë vlerësohet me 170 milionë euro, duke u ngjitur në vendin e katërt. Pesëshen e parë e plotëson Jude Bellingham me 160 milionë euro, lideri i Anglisë dhe një nga mesfushorët më të kompletuar të brezit të ri.
Në rritje janë edhe vlerat e Elliot Anderson dhe Julián Álvarez, të cilët tashmë kapin respektivisht 120 dhe 110 milionë euro. Pedri mbetet mes futbollistëve më të vlefshëm në botë, ndërsa Vinícius Jr. renditet pas tij në klasifikim, me një diferencë prej 10 milionë eurosh.
Ndërkohë, dy ikonat e epokës së kaluar, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, vazhdojnë të jenë pjesë e renditjes, por me vlera shumë më të ulëta se në kulmin e karrierës së tyre: 15 milionë euro për argjentinasin dhe 10 milionë për portugezin. Një kontrast që tregon ndryshimin e brezave.
Skena e futbollit botëror po kalon te yjet e rinj, ku talenti, mosha dhe potenciali po përcaktojnë rekordet e reja të tregut.
/tvklan.al








