6 nëntor 2026 – Ka nisur zyrtarisht në ekranin e Tv Klan një tjetër rrugëtim i “X Factor Albania”, spektakli që synon të zbulojë zëra të rinj dhe t’u japë mundësi ëndrrave për muzikën të marrin jetë.

Por, përpara se të nisin performancat, emocionet dhe vendimet e jurisë, ishte Alketa Vejsiu ajo që përcolli një mesazh të veçantë, duke i dhënë mbrëmjes një nisje plot ndjeshmëri dhe frymëzim.

Me një përshëndetje për të gjithë të rinjtë, familjarët, mësuesit dhe njerëzit që kanë zgjedhur të mbështesin konkurrentët, moderatorja solli në vëmendje rëndësinë e atyre që qëndrojnë pas çdo ëndrre: prindërit që besojnë te fëmijët e tyre, miqtë që i inkurajojnë dhe njerëzit që, ndonjëherë edhe pa e kuptuar, bëhen shtysa e parë për të marrë guximin dhe për të dalë në skenë.

Ajo u ndal edhe te ata që mund të kenë ardhur në këtë audicion me frikë, pasiguri apo ndrojtje, duke theksuar se shpesh janë pikërisht dyshimet tona ato që na pengojnë të provojmë atë që dëshirojmë me gjithë zemër.

“Ëndrrat shumë herë ndërpriten nga frika që ne kemi kur bisedojmë me veten”, u shpreh ajo, duke përcjellë një mesazh të qartë: nuk ka asgjë më të bukur sesa të guxosh, edhe nëse rrugëtimi nuk të çon menjëherë drejt fazës tjetër.

Një moment veçanërisht emocionues ishte kur Vejsiu iu drejtua të gjithë konkurrentëve që ndodheshin në prapaskenë, duke i përgëzuar për guximin dhe shembullin që po japin për brezat e tjerë. Përmes fjalëve të saj, ajo i kujtoi secilit se pjesëmarrja në këtë skenë është në vetvete një fitore, pasi kërkon kurajë për t’u përballur me veten dhe për të besuar te talenti që mbart.

Duke kujtuar gjithashtu se në skenën e “X Factor” kanë nisur rrugëtimin e tyre disa prej emrave më të talentuar të muzikës shqiptare, Vejsiu theksoi se çdo sukses ka një pikënisje dhe se rëndësi ka të hedhësh hapin e parë.

“Ne jemi këtu për t’i mbështetur këtu në laboratorin e përpunimit të yjeve, të gjitha talentet”, ishte një prej mesazheve me të cilat ajo përmbylli fjalën e saj.

Me këtë hyrje plot emocion, “X Factor Albania” çeli një sezon të ri, ku përtej konkurrencës, performancave dhe vendimeve të jurisë, në qendër do të jenë historitë njerëzore, guximi për të ëndërruar dhe mundësia për të zbuluar talentet që presin momentin e tyre.

Sepse, çdo ëndërr ka nevojë për një fillim. Dhe ndonjëherë, gjithçka që duhet të bësh është të besosh te vetja dhe të guxosh të ngjitesh në skenë.

“Mirëmbrëma të gjithë të rinjve, të gjithë familjeve, mësuesve, fqinjëve, mefisit, të gjithë ju që keni ardhur këtu sot për të mbështetur talentet, të cilët jam e bindur që i keni inkurajuar në mënyrën tuaj. Këtu një nga ata të rinj me siguri do të ketë pasur engjëll mbrojtës mamin ose babin, i cili e di që kur ka qenë i vogël se si këndonte fëmija e tij përpara pasqyrës dhe ai i ka thënë me bindje: ‘Ti duhet të shkosh se ai është vendi i duhur ku ëndrrat marrin kuptim edhe realizohen.’ Dikush tjetër mund të ketë shokun ose shoqen që i ka thënë se është më i miri i klasës, më i miri i shkollës dhe ai duhet të shkojë se s’bën ta provojë fatin e tij. Dikush tjetër mund të ketë shqetësuar gjithmonë fqinjët kur lahej në dush edhe këndonte dhe ai i ka thënë që: ‘Shko se po fillon X Factor Albania.’ Por dikush tjetër mund të ketë ardhur vetëm sepse ka turp, ka ndrojtje dhe ka frikë që të përballet me të vërtetën e zemrës së tij, të vërtetën e talentit të tij. Ëndrrat shumë herë ndërpriten nga frika që ne kemi kur bisedojmë me veten. S’ka gjë më të bukur sesa ta provosh edhe kur nuk kalon në fazën tjetër. Mos harroni që të gjithë ju i keni dhënë një premtim fëmijës që është ende brenda jush, premtim që duhet ta mbani sot. Ndaj të gjithë të rinjve që janë në prapaskenë dhe do të kenë punë me mua për t’i dhënë pak kurajë e për t’i ngrohur zemrën në të gjithë pasigurinë e tyre, dua t’ju thëm: bravo për shembullin që do t’i jepni të gjithë brezave tuaj! Ky është një spektakël unikal i cili, duke vendosur në qendër të tij talentin, i jep mundësi zërave që të shpërthejnë dhe të shpërndahen. Po të mendoni, këtu në këtë skenë i kemi dhënë krahë ëndrrave të disa prej njerëzve më të talentuar të muzikës shqiptare sot. Të gjithë me siguri nisën diku dhe e rëndësishme është të nisesh nga diku, të fillosh ëndrrën tënde. Se si shkon pastaj, duhet pak fat, duhen njerëzit e duhur dhe ne jemi këtu për t’i mbështetur këtu në laboratorin e përpunimit të yjeve, të gjitha talentet.”

/tvklan.al