Paketa Fiskale 2027, e propozuar nga qeveria shqiptare, ishte në fokus të pjesës së dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, ku u trajtuan ndryshimet e parashikuara në sistemin e taksave, ndikimi i tyre te bizneset dhe konsumatorët, si dhe pasojat e mundshme për ekonominë shqiptare.
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, përfaqësues i “ALTAX”, analizoi disa prej masave kryesore të paketës fiskale, duke vënë në dukje se ndryshimet e propozuara kërkojnë më shumë konsultim me komunitetin e biznesit, analizë të ndikimit ekonomik dhe një periudhë të përshtatshme për zbatimin e tyre.
Një nga çështjet më të diskutuara është ndryshimi i tatimit mbi pagat, veçanërisht për të ardhurat mbi 700 mijë lekë. Sipas Gjokutajt, edhe pse kjo kategori përbën një pjesë të vogël të të punësuarve, taksimi më i lartë mund të ndikojë në vendimmarrjen e profesionistëve të kualifikuar dhe të nxisë largimin e tyre drejt vendeve me regjime fiskale më të favorshme, si Kosova apo shtete të tjera.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Kjo masë pritet të prekë drejtpërdrejt bizneset e vogla, duke rritur numrin e subjekteve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së.
Sipas ekspertit, ndryshime të tilla duhet të analizohen në raport me kapacitetet financiare të bizneseve dhe klimën aktuale të të bërit biznes.
Gjatë analizës u ndal edhe te rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Gjokutaj argumentoi se kjo rritje mund të përcillet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke ndikuar në zinxhirin e kostove të bizneseve dhe, në fund, te konsumatori. Sipas tij, efekti real i masave fiskale duhet vlerësuar në tërësi, duke marrë në konsideratë nivelin e formalizimit të ekonomisë dhe shkallën e zbatimit të detyrimeve tatimore.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës së ushqimeve bazë, nga 20% në 6%. Megjithëse kjo masë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve, eksperti vlerësoi se ndikimi pozitiv në çmimet përfundimtare mund të jetë i kufizuar, nëse nuk shoqërohet me masa të tjera që adresojnë kostot e bizneseve, përfshirë taksat vendore dhe çmimin e energjisë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sektorit të turizmit, ku parashikohet rritja e TVSH-së për akomodimin turistik nga 6% në 10%. Sipas Gjokutajt, kjo masë duhet të shqyrtohet në raport me realitetin financiar të operatorëve turistikë, pasi sektori përballet me luhatje të kërkesës, pasiguri në fluksin e vizitorëve dhe kosto të ndryshme operacionale. Ai paralajmëroi se ndryshimet e shpeshta dhe të pakonsultuara mund ta bëjnë sistemin fiskal më kompleks dhe të krijojnë hapësira për informalitet apo shmangie tatimore.
Në analizën e tij, eksperti u ndal edhe te rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, duke e konsideruar taksimin e kapitalit një çështje që lidhet me barazinë tatimore. Megjithatë, ai theksoi se bizneset dhe individët që preken nga këto ndryshime duhet të kenë kohën e nevojshme për t’u përshtatur dhe për të marrë vendime financiare të informuara.
Në përfundim, Eduart Gjokutaj vlerësoi se një nga problematikat kryesore të Paketës Fiskale 2027 është mungesa e parashikueshmërisë dhe konsultimit të mjaftueshëm me biznesin.
/tvklan.al






