09 korrik 2026- Producenti i njohur Ermal Mamaqi, i ftuar në emisionin “Kampionët e Botës” në TV Klan, ndau parashikimin e tij për përballjen mes Francës dhe Marokut, duke shprehur hapur dëshirën që skuadra afrikane të sigurojë kualifikimin.
Mamaqi e nisi me humor diskutimin në studio, duke vënë në dukje se biseda ishte përqendruar më shumë te Maroku sesa te Franca.
“Desha me pyet se ka kaluar gjysmë ore që kur jemi këtu. Kush luan sot, se s’po kuptojmë, sepse po flasim vetëm për akademinë e Marokut”, tha ai.
Më tej, producenti u shpreh se nuk beson te fati, por te puna dhe vizioni.
“Nuk besoj te fati fare. Ne e shkruajmë fatin dhe e ndërtojmë të ardhmen tonë. Si fillim mendojmë dhe pastaj besojmë”, u shpreh Mamaqi.
Ai e cilësoi historinë e trajnerit të Marokut si një film frymëzues, duke theksuar se fakti që një ish-mësues i edukimit fizik është shndërruar në “makthin” e Francës duket si skenar filmi.
“Kjo që ka ndodhur me Marokun, që një profesor fizkulture tani shndërrohet në makthin e Francës, duket si një skenar filmi frymëzues. Uroj të jetë e vërtetë dhe të ndodhë një gjë e tillë, sepse një skuadër e tillë e meriton këtë shpërblim. Shpresoj që sot të fitojë Maroku”, përfundoi ai.
Mbrëmjen e kësaj të enjteje, në orën 22:00, Franca dhe Maroku përballen me njëra-tjetrën për një vend në gjysmëfinale. Ndeshja transmetohet live në Tv Klan.
/tvklan.al











