Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme, kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi fotografi të efektivëve që kanë mbetur të plagosur gjatë protestave.

Reagimi i tij erdhi pas kritikave të deputetit të opozitës, Erald Kapri, i cili kërkoi dorëheqjen e Hitës dhe ngriti akuza për përdorim të dhunës nga policia ndaj protestuesve.

Duke komentuar situatën e krijuar gjatë tubimeve, Hita deklaroi se efektivët janë përballur me sulme të forta me gurë, ndërsa theksoi se pajisjet speciale të përdorura nga policia nuk kanë sjellë asnjë shpenzim për buxhetin e shtetit, pasi janë vënë në dispozicion nga policitë partnere.

“Zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse. Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar.

Sa u përket dëmtimeve të punonjësve të policisë, nuk do të doja të kishte asnjë të dëmtuar. Por fakti është se, ditën e parë të protestës, policia ka qenë në ruajtje të objekteve shtetërore dhe është kujdesur për mbarëvajtjen e tubimit. Efektivët janë përballur me një sulm të paparë më parë, me një breshëri gurësh. Është ndërmarrë edhe një sulm ndaj institucioneve. Ka punonjës me këmbë të thyer dhe me dëmtime në kafkë, si në Shkodër”, tha Skënder Hita.

/tvklan.al