21 persona janë ndëshkuar me gjobë nga Policia, pasi gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, kanë bllokuar rrugën duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Sipas njoftimit të Policisë, secili prej tyre është gjobitur me 5 mijë lekë për kundërvajtje administrative, pasi nuk kanë lejuar lëvizjen normale të mjeteve të transportit gjatë zhvillimit të tubimit.

Autoritetet bëjnë të ditur se masat administrative janë vendosur në bazë të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga punonjësit e Policisë përmes megafonit që të lirohej rruga dhe të mos pengohej qarkullimi, personat kanë vijuar ta mbajnë atë të bllokuar.

Pas konstatimit të shkeljeve, Policia ka hartuar 21 procesverbale përkatëse dhe ka vendosur gjobat prej 5 000 lekësh për secilin prej personave të identifikuar.

Ndërkohë, materialet procedurale për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore.

/tvklan.al