” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.’

“Faturën e protestave do ta paguajmë ne”, Romina Radonshiqi: Rrezikohen bizneset,
turizmi dhe investimet

Kostot ekonomike dhe psikologjike të protestave, ndikimi te bizneset dhe investitorët e huaj, si dhe nevoja për më shumë investime publike, ishin ndër çështjet e diskutuara në pjesën e parë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, ku e ftuar ishte ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Gjatë diskutimit, Radonshiqi theksoi se pasojat e protestave nuk kufizohen vetëm te dëmet materiale, por shtrihen edhe te pasiguria financiare e qytetarëve, konsumi, turizmi dhe klima e të bërit biznes në vend.

“Në fund, faturën e kësaj proteste do ta paguajmë ne”, u shpreh ekspertja, duke shpjeguar se dëmet në objektet publike financohen nga taksat e qytetarëve, ndërsa kostot e bizneseve mund të reflektohen te çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Sipas saj, incidentet dhe dëmtimet mund të ndikojnë negativisht edhe në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik, duke rrezikuar rezervimet për muajt nëntor dhe dhjetor. Një situatë e paqëndrueshme mund të ndikojë gjithashtu në vendimmarrjen e investitorëve të huaj, të cilët mund të zgjedhin të shtyjnë planet e tyre deri në stabilizimin e situatës.

Një tjetër aspekt i trajtuar ishte ndikimi te sistemi bankar dhe qytetarët, veçanërisht për shkak të mbylljes së përkohshme të disa filialeve dhe shqetësimeve lidhur me depozitat. Radonshiqi nënvizoi rëndësinë e edukimit financiar dhe të menaxhimit të rrezikut në periudha pasigurie.

Përtej kostove të protestave, diskutimi u përqendrua edhe te problematikat ekonomike dhe sociale që kërkojnë zgjidhje afatgjata, përfshirë korrupsionin, informalitetin, investimet publike dhe mbështetjen për sektorët e ndjeshëm të ekonomisë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua vështirësive ekonomike të studentëve, veçanërisht kostove të larta të jetesës dhe strehimit në Tiranë. Si pedagoge, Radonshiqi vlerësoi se rritja e bursave dhe subvencionimi i qirave mund të ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare për studentët që vijnë nga rrethet.

“Qeveria mund të ndërhyjë përmes rritjes së bursave, madje duke shqyrtuar mundësinë e dyfishimit të tyre, si dhe përmes subvencioneve për studentët që jetojnë me qira dhe nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e larta të strehimit”, u shpreh ajo.

Në përfundim, ekspertja theksoi rëndësinë e dialogut për të shmangur zgjatjen e situatave të tensionuara dhe për të gjetur zgjidhje që i shërbejnë ekonomisë dhe qytetarëve. Ajo nënvizoi gjithashtu se projektbuxheti i vitit 2027 duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje investimeve publike, të cilat mund të nxisin punësimin dhe rritjen ekonomike.

Për më tepër, ndiqni emisionin e plotë në kanalin e YouTube në TV Klan!

Studentët përballë kostos së lartë të jetesës, eksperti Erjon Muça analizon situatën

Në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, vështirësitë ekonomike të studentëve dhe të rinjve u trajtuan përmes dëshmisë së të sapodiplomuarit Uesli Guci dhe analizës së ekspertit të karrierës dhe pedagogut Erjon Muça.

Kostoja e lartë e jetesës, qiratë, shpenzimet e përditshme dhe vështirësitë për të siguruar pavarësinë financiare ishin në fokus të pjesës së dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan.

Fillimisht, përmes një interviste, i riu Uesli Guci solli përvojën e tij si student dhe më pas, në studio, eksperti i karrierës Erjon Muça analizoi sfidat me të cilat përballen të rinjtë në tregun e punës.

Guci, i sapodiplomuar në inxhinieri softuerike në Institutin Kanadez të Teknologjisë, tregoi se gjatë studimeve është detyruar të punojë për të përballuar një pjesë të shpenzimeve, por të ardhurat nuk i kanë mjaftuar për të mbuluar të gjitha kostot, përfshirë tarifat universitare dhe jetesën.

Sipas tij, studentët që vijnë nga rrethet përballen me një barrë edhe më të madhe financiare, për shkak të qirave dhe kapaciteteve të kufizuara të konvikteve. Ai vlerësoi se shpenzimet mujore mund të arrijnë në 50–60 mijë lekë edhe për studentët që kursejnë, ndërsa për një jetesë më të mirë mund të shkojnë në 70–80 mijë lekë.

“Ne po mbijetojmë me pak fjalë dhe prapë nuk po ia dalim as të mbijetojmë”, u shpreh Guci, duke theksuar se edhe të rinjtë që punojnë gjatë studimeve shpesh kanë nevojë për mbështetjen financiare të familjeve.

Ai shprehu mbështetjen për protestën studentore, duke e konsideruar atë një të drejtë kushtetuese, por u bëri thirrje protestuesve të shmangin dhunën dhe dëmtimin e pronës private. Sipas tij, të rinjtë duhet të kërkojnë ndryshim përmes angazhimit konkret dhe respektimit të ligjit.

Në analizën e zhvilluar në studio, Erjon Muça u ndal te mospërputhja mes kostove të jetesës dhe të ardhurave që të rinjtë mund të sigurojnë në fillim të karrierës. Ai theksoi se shumë studentë punojnë gjatë studimeve, por të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e akomodimit, ushqimit dhe nevojave të tjera bazë.

Muça nënvizoi gjithashtu se tregu tradicional i punës nuk u përgjigjet gjithmonë pritshmërive të brezit të ri, i cili kërkon më shumë fleksibilitet, pavarësi dhe mundësi zhvillimi profesional. Si zgjidhje, ai sugjeroi forcimin e programeve të praktikave dhe nxitjes së punësimit, si dhe mbështetjen e ideve sipërmarrëse dhe startup-eve të krijuara nga të rinjtë.

Duke folur për të ardhurat e nevojshme për një jetë të pavarur, eksperti vlerësoi se një i ri ka nevojë për të paktën 1 200–1 300 euro në muaj për të përballuar një jetesë bazike dhe modeste, ndërsa për të mbuluar edhe shpenzime për trajnime dhe zhvillim profesional do të nevojiteshin rreth 1 500–1 600 euro.

Në përfundim, diskutimi evidentoi nevojën për më shumë mundësi punësimi cilësor, përputhje më të mirë mes arsimit dhe tregut të punës, si dhe politika që u mundësojnë të rinjve të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Për më shumë, ndiqni materialin në kanalin e YouTube në TV Klan!

Mbi 127 biznese të dëmtuara nga protestat, vetëdeklarimet e dëmeve arrijnë në 2.15 milionë euro

Në pjesën e tretë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, u trajtuan dëmet ekonomike të shkaktuara nga protestat e nisura më 13 tetor në kryeqytet, si dhe qëndrueshmëria e sistemit bankar.

Sipas të dhënave nga administrata tatimore dhe raportimeve në portalin “Dëmi im” në e-Albania, mbi 127 subjekte kanë raportuar dëme, ndërsa vlera e vetëdeklaruar arrin në të paktën 2.15 milionë euro. Bëhet fjalë kryesisht për biznese të vogla, ndërsa procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve do të vijojë në terren deri në dokumentimin e plotë të tyre.

Gjatë një prononcimi për mediat, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se institucioni i ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e lidhura me protestat. Ai siguroi qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta dhe se dëmtimet fizike në disa degë bankash nuk cenojnë sigurinë e depozitave apo qëndrueshmërinë financiare të bankave.

Banka e Shqipërisë theksoi se do të vijojë koordinimin me institucionet dhe aktorët përkatës për të garantuar funksionimin normal të sistemit financiar dhe për të mbështetur nevojat e qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë në tërësi.

/tvklan.al