Një rrugëtim që nisi me emigracionin, sakrificat dhe sfidat e jetës larg atdheut, u shndërrua në një histori suksesi sipërmarrës me shtrirje ndërkombëtare. Poti Group festoi 25-vjetorin e themelimit në Bolonjë të Italisë, duke shënuar një çerek shekulli punë, përkushtim dhe zhvillim në sektorin e logjistikës dhe montimit të rafteve industriale. Në këtë përvjetor të rëndësishëm u mblodhën mbi 400 të ftuar, mes tyre përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe italiane, diplomatë, politikanë, sipërmarrës dhe partnerë të biznesit, për të nderuar rrugëtimin e vëllezërve Astrit dhe Osman Poti.

Gjatë ceremonisë, dy vëllezërit ndanë me të pranishmit historinë e tyre personale dhe profesionale, duke rikthyer në vëmendje vitet e para të emigracionit dhe vështirësitë me të cilat u përballën për të ndërtuar një jetë të re në Itali. Astrit Poti tregoi se emigroi fillimisht në Greqi në moshën 16-vjeçare, ku punoi në bujqësi dhe në punë të ndryshme fizike. Më pas, në vitin 1998, u zhvendos në Itali dhe, pas një qëndrimi në Napoli, në vitin 1999 mbërriti në Bolonjë. Osman Poti kujtoi emocionet dhe pasigurinë e atyre viteve, veçanërisht udhëtimin e vështirë të vëllait drejt Italisë dhe ditët e para në Bolonjë, kur mundësitë ishin të pakta dhe e ardhmja e paqartë.

Nga këto fillime të vështira, vëllezërit Poti ndërtuan hap pas hapi një sipërmarrje që sot operon në tregje ndërkombëtare me konstruksione metalike. Duke folur për të ardhmen, ata theksuan se synimi i kompanisë është të vijojë zhvillimin përmes investimeve në teknologji, digjitalizimit të proceseve, rritjes së cilësisë dhe sigurisë, si dhe realizimit të projekteve gjithnjë e më të mëdha në fushën e logjistikës dhe zgjidhjeve industriale.

Për 25-vjetorin e Poti Group mbërriti edhe një mesazh urimi nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i cili e cilësoi historinë e kompanisë si një shembull të sipërmarrjes, punës dhe integrimit. Ai vuri në dukje se iniciativa, vizioni dhe aftësia për të inovuar krijojnë vlerë jo vetëm për një kompani, por edhe për të gjithë territorin ku ajo zhvillon aktivitetin. Edhe përfaqësuesja e Rajonit Emilia-Romagna, Irene Priolo, vlerësoi rrugëtimin e vëllezërve Poti dhe kontributin e tyre në ekonominë dhe shoqërinë italiane.

Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve italiane, të cilët u ndalën te rëndësia e sipërmarrjes, integrimit dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Itali. Eurodeputetja Elisabetta Gualmini, eurodeputeti Stefano Cavedagna, këshilltari rajonal Marco Mastacchi, presidenti i Komisionit të Bashkisë së Bolonjës, Matteo Di Benedetto, si dhe kryetari i Bashkisë së Castenasos, Carlo Gubellini, vlerësuan historinë e kompanisë dhe përpjekjet e vëllezërve Poti për të ndërtuar një aktivitet të qëndrueshëm, i cili kontribuon edhe në zhvillimin e komunitetit vendas.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe lidhjeve me Shqipërinë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Konsullja e Shqipërisë në Milano, Juljeta Cobanaj, i cilësoi vëllezërit Poti si ambasadorë të Shqipërisë në Itali, duke vlerësuar mënyrën se si kanë përfaqësuar vendin përmes punës, sakrificës dhe integrimit. Edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, e përshkroi këtë përvjetor si 25 vite ndërtim urash mes komuniteteve. Ndërsa prefekti i Kukësit, Dritan Baji, vlerësoi investimet dhe kontributin e vëllezërve në Shqipëri, si dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e familjeve shqiptare që rriten jashtë atdheut.

Në kuadër të 25-vjetorit u zhvillua gjithashtu një takim institucional në Bolonjë, ku morën pjesë përfaqësues të autoriteteve italiane, shqiptare dhe kosovare, mes tyre prefekti Enrico Ricci, ambasadorja Nita Shala, përfaqësuesja e Konsullatës shqiptare në Milano, Juljeta Cobanaj, kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, si dhe sipërmarrësi Astrit Poti. Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, integrimin e komunitetit shqiptar, kontributin e sipërmarrësve në zhvillimin ekonomik të rajonit Emilia-Romagna dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në vëmendje u vunë gjithashtu lidhjet historike e kulturore dhe roli i komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare.

/tvklan.al