Pas historisë së suksesit të Poti Group në Bolonjë të Italisë, rrugëtimi i sipërmarrjes së familjes Poti vijon edhe në Shqipëri, ku në vitin 2008 u themelua Poti SHPK. E frymëzuar nga modeli i biznesit të ndërtuar në Itali, kompania solli në vend përvojën, standardet dhe cilësinë italiane, duke kontribuar në zhvillimin e tregut shqiptar dhe krijimin e vendeve të punës.

Me 18 vite eksperiencë në Shqipëri, Poti SHPK operon në fushën e pajisjeve për ambiente tregtare dhe industriale, duke ofruar zgjidhje për organizimin e supermarketeve, magazinave, depove dhe bizneseve të ndryshme. Në një intervistë për emisionin “Pro Business” në TV Klan, z. Dashamir Poti rrëfeu fillimet e kompanisë, zgjerimin e aktivitetit dhe planet për të ardhmen.

Ai tregoi se pas disa vitesh aktiviteti në Itali, vëllezërit vendosën të hapnin një biznes edhe në Shqipëri, duke identifikuar nevojën për shërbime dhe produkte të kësaj natyre. Aktiviteti nisi në vitin 2008 me një grup prej shtatë deri në tetë punonjësish dhe, me kalimin e viteve, arriti në 24–28 punonjës. Sipas Dashamir Potit, fillimet nuk ishin të lehta, por këmbëngulja, korrektësia në punë dhe cilësia e produkteve bënë të mundur konsolidimin e kompanisë në tregun shqiptar.

Sot, Poti SHPK bashkëpunon ngushtë me kompani italiane dhe është e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë. Përveç tregut vendas, kompania zhvillon aktivitet në vende të Ballkanit, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, si dhe ka realizuar projekte në vende të tjera evropiane e më gjerë, përfshirë Egjiptin, Suedinë dhe Rusinë. Bashkëpunimi me grupin e kompanive në Itali i mundëson koordinim më të mirë të punës, furnizim me materiale dhe garantimin e standardeve për klientët në tregje të ndryshme.

Një nga treguesit e pozicionit të kompanisë në Shqipëri është baza e klientëve, e cila, sipas Dashamir Potit, arrin në rreth 5.800, ndërsa pjesa e tregut që ajo mbulon vlerësohet prej tij në afro 45%. Gama e produkteve përfshin rafte metalike për markete dhe magazina, rafte anësore, frigoriferë, banakë frigoriferikë, kasa arke dhe pajisje të tjera për organizimin e hapësirave tregtare. Kompania ofron si produkte të reja, ashtu edhe të përdorura, duke iu përshtatur kapaciteteve dhe kërkesave të ndryshme të bizneseve.

Përveç furnizimit, Poti SHPK ofron zgjidhje të personalizuara për çdo ambient. Stafi i saj realizon projektimin e vendosjes së rafteve, në bazë të përmasave të hapësirës, si dhe përshtatjen e tyre përmes shkurtimit, zgjatimit dhe modifikimeve të nevojshme. Një shërbim i rëndësishëm është edhe montimi në terren, mirëmbajtja dhe asistenca teknike. Kompania u përgjigjet kërkesave të klientëve edhe jashtë orarit të zakonshëm të punës, përfshirë ndërhyrjet gjatë natës, kur supermarketet dhe bizneset kanë nevojë për riorganizim të ambienteve.

/tvklan.al