” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.’
Poti Group, krenaria e sipërmarrjes shqiptare në Itali: 25 vite sukses ndërkombëtar
Historia e sipërmarrjes shqiptare në Itali, Poti Group, ishte në fokus të emisionit “Pro Business” në TV Klan. Një rrugëtim 25-vjeçar, i nisur nga emigracioni dhe puna e palodhur, që sot është shndërruar në një histori suksesi në tregun italian dhe atë ndërkombëtar, duke u kthyer në lider në montimin e supermarketeve, magazinave, kapanoneve dhe rafteve metalike.
Në këtë reportazh, “Pro Business” solli nga Bolonja historinë e familjes Poti, sipërmarrësve shqiptarë që kanë arritur të ndërtojnë një grup të konsoliduar biznesesh, duke krijuar ura bashkëpunimi mes Shqipërisë, Italisë dhe tregjeve të tjera ndërkombëtare.
Rrugëtimi i bashkëthemeluesit të kompanisë, Astrit Poti, nisi në vitin 1992, kur emigroi drejt Greqisë, ku punoi për gjashtë vite. Në vitin 1998 u zhvendos në Itali, ndërsa një vit më vonë nisi të punonte si montator i rafteve metalike. Falimentimi i kompanisë ku ishte i punësuar u bë pikënisja e një kapitulli të ri. Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vendosi të krijonte biznesin e vet, duke mos i braktisur punonjësit që kishin ardhur nga Shqipëria dhe që kishin besuar tek ata.
Nga një magazinë e vogël prej rreth 500 metrash katrorë, aktiviteti u zgjerua gradualisht, duke u shndërruar në një grup biznesesh që sot operon në fushën e konstruksioneve metalike, sistemeve të magazinimit, montimit industrial dhe tregtimit të pajisjeve e makinerive të ndryshme.
Gjatë intervistës për “Pro Business”, Astrit Poti tregoi se kompania ka arritur të sigurojë një pozicion të rëndësishëm në tregun italian, veçanërisht në sektorin e rafteve metalike të përdorura, ku, sipas tij, zotëron 55–60 për qind të tregut. Aktiviteti i saj shtrihet përtej Italisë, ndërsa ndër klientët e përmendur janë kompani të njohura si Barilla, CEVA Logistics dhe Amazon.
Një tjetër tregues i rritjes së kompanisë është numri i punonjësve. Nga 12 punonjës në fillimet e saj, Poti Group sot ka më shumë se 400 të punësuar në të gjithë grupin. Kompania disponon tri pika magazinimi në Bolonjë, ndërsa aktivitetin tregtar e shtrin në të gjitha rajonet e Italisë.
Dimensionet e kësaj sipërmarrjeje pasqyrohen edhe në shifrat financiare. Sipas Astrit Potit, Poti Group realizon një faturim vjetor prej rreth 47 milionë eurosh. Për më tepër, kompania është vlerësuar për tri vite radhazi, 2023, 2024 dhe 2025, ndër 1.000 kompanitë më të suksesshme në Bolonjë, ndërsa ka marrë edhe certifikimin për vitin 2026.
Reportazhi u ndal gjithashtu te zgjerimi i aktiviteteve të grupit, ku secili prej vëllezërve ka marrë përgjegjësinë për menaxhimin e bizneseve të ndryshme, të bashkuara nën logon Poti Group. Përveç sistemeve të magazinimit dhe strukturave metalike, grupi operon edhe në tregtimin dhe dhënien me qira të makinerive industriale, si dhe në shitjen, dhënien me qira dhe mirëmbajtjen e automjeteve.
Bashkëthemeluesi Osman Poti shpjegoi se zgjerimi i aktiviteteve ka ardhur si rezultat i njohjes së vazhdueshme të nevojave të klientëve. Prania pranë tyre dhe ofrimi i shërbimeve të integruara kanë qenë ndër faktorët që kanë ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë.
Ndiqni emisionin e plotë në kanalin e YouTube të TV Klan!
Antonio Tajani vlerëson Poti Group: “Shembull i sipërmarrjes shqiptare drejt botës”
Një rrugëtim që nisi me emigracionin, sakrificat dhe sfidat e jetës larg atdheut, u shndërrua në një histori suksesi sipërmarrës me shtrirje ndërkombëtare. Poti Group festoi 25-vjetorin e themelimit në Bolonjë të Italisë, duke shënuar një çerek shekulli punë, përkushtim dhe zhvillim në sektorin e logjistikës dhe montimit të rafteve industriale. Në këtë përvjetor të rëndësishëm u mblodhën mbi 400 të ftuar, mes tyre përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe italiane, diplomatë, politikanë, sipërmarrës dhe partnerë të biznesit, për të nderuar rrugëtimin e vëllezërve Astrit dhe Osman Poti.
Gjatë ceremonisë, dy vëllezërit ndanë me të pranishmit historinë e tyre personale dhe profesionale, duke rikthyer në vëmendje vitet e para të emigracionit dhe vështirësitë me të cilat u përballën për të ndërtuar një jetë të re në Itali. Astrit Poti tregoi se emigroi fillimisht në Greqi në moshën 16-vjeçare, ku punoi në bujqësi dhe në punë të ndryshme fizike. Më pas, në vitin 1998, u zhvendos në Itali dhe, pas një qëndrimi në Napoli, në vitin 1999 mbërriti në Bolonjë. Osman Poti kujtoi emocionet dhe pasigurinë e atyre viteve, veçanërisht udhëtimin e vështirë të vëllait drejt Italisë dhe ditët e para në Bolonjë, kur mundësitë ishin të pakta dhe e ardhmja e paqartë.
Nga këto fillime të vështira, vëllezërit Poti ndërtuan hap pas hapi një sipërmarrje që sot operon në tregje ndërkombëtare me konstruksione metalike. Duke folur për të ardhmen, ata theksuan se synimi i kompanisë është të vijojë zhvillimin përmes investimeve në teknologji, digjitalizimit të proceseve, rritjes së cilësisë dhe sigurisë, si dhe realizimit të projekteve gjithnjë e më të mëdha në fushën e logjistikës dhe zgjidhjeve industriale.
Për 25-vjetorin e Poti Group mbërriti edhe një mesazh urimi nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i cili e cilësoi historinë e kompanisë si një shembull të sipërmarrjes, punës dhe integrimit. Ai vuri në dukje se iniciativa, vizioni dhe aftësia për të inovuar krijojnë vlerë jo vetëm për një kompani, por edhe për të gjithë territorin ku ajo zhvillon aktivitetin. Edhe përfaqësuesja e Rajonit Emilia-Romagna, Irene Priolo, vlerësoi rrugëtimin e vëllezërve Poti dhe kontributin e tyre në ekonominë dhe shoqërinë italiane.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve italiane, të cilët u ndalën te rëndësia e sipërmarrjes, integrimit dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Itali. Eurodeputetja Elisabetta Gualmini, eurodeputeti Stefano Cavedagna, këshilltari rajonal Marco Mastacchi, presidenti i Komisionit të Bashkisë së Bolonjës, Matteo Di Benedetto, si dhe kryetari i Bashkisë së Castenasos, Carlo Gubellini, vlerësuan historinë e kompanisë dhe përpjekjet e vëllezërve Poti për të ndërtuar një aktivitet të qëndrueshëm, i cili kontribuon edhe në zhvillimin e komunitetit vendas.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe lidhjeve me Shqipërinë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Konsullja e Shqipërisë në Milano, Juljeta Cobanaj, i cilësoi vëllezërit Poti si ambasadorë të Shqipërisë në Itali, duke vlerësuar mënyrën se si kanë përfaqësuar vendin përmes punës, sakrificës dhe integrimit. Edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, e përshkroi këtë përvjetor si 25 vite ndërtim urash mes komuniteteve. Ndërsa prefekti i Kukësit, Dritan Baji, vlerësoi investimet dhe kontributin e vëllezërve në Shqipëri, si dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e familjeve shqiptare që rriten jashtë atdheut.
Në kuadër të 25-vjetorit u zhvillua gjithashtu një takim institucional në Bolonjë, ku morën pjesë përfaqësues të autoriteteve italiane, shqiptare dhe kosovare, mes tyre prefekti Enrico Ricci, ambasadorja Nita Shala, përfaqësuesja e Konsullatës shqiptare në Milano, Juljeta Cobanaj, kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, si dhe sipërmarrësi Astrit Poti. Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, integrimin e komunitetit shqiptar, kontributin e sipërmarrësve në zhvillimin ekonomik të rajonit Emilia-Romagna dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në vëmendje u vunë gjithashtu lidhjet historike e kulturore dhe roli i komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare.
Për më tepër, ndiqni emisionin e plotë në kanalin e YouTube të TV Klan!
Poti SHPK, nga modeli italian te 18 vite sukses dhe zgjerim në Shqipëri
Pas historisë së suksesit të Poti Group në Bolonjë të Italisë, rrugëtimi i sipërmarrjes së familjes Poti vijon edhe në Shqipëri, ku në vitin 2008 u themelua Poti SHPK. E frymëzuar nga modeli i biznesit të ndërtuar në Itali, kompania solli në vend përvojën, standardet dhe cilësinë italiane, duke kontribuar në zhvillimin e tregut shqiptar dhe krijimin e vendeve të punës.
Me 18 vite eksperiencë në Shqipëri, Poti SHPK operon në fushën e pajisjeve për ambiente tregtare dhe industriale, duke ofruar zgjidhje për organizimin e supermarketeve, magazinave, depove dhe bizneseve të ndryshme. Në një intervistë për emisionin “Pro Business” në TV Klan, z. Dashamir Poti rrëfeu fillimet e kompanisë, zgjerimin e aktivitetit dhe planet për të ardhmen.
Ai tregoi se, pas disa vitesh aktiviteti në Itali, vëllezërit vendosën të hapnin një biznes edhe në Shqipëri, duke identifikuar nevojën për shërbime dhe produkte të kësaj natyre. Aktiviteti nisi në vitin 2008 me një grup prej shtatë deri në tetë punonjësish dhe, me kalimin e viteve, arriti në 24–28 punonjës. Sipas Dashamir Potit, fillimet nuk ishin të lehta, por këmbëngulja, korrektësia në punë dhe cilësia e produkteve bënë të mundur konsolidimin e kompanisë në tregun shqiptar.
Sot, Poti SHPK bashkëpunon ngushtë me kompani italiane dhe është e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë. Përveç tregut vendas, kompania zhvillon aktivitet në vende të Ballkanit, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, si dhe ka realizuar projekte në vende të tjera evropiane e më gjerë, përfshirë Egjiptin, Suedinë dhe Rusinë. Bashkëpunimi me grupin e kompanive në Itali i mundëson koordinim më të mirë të punës, furnizim me materiale dhe garantimin e standardeve për klientët në tregje të ndryshme.
Një nga treguesit e pozicionit të kompanisë në Shqipëri është baza e klientëve, e cila, sipas Dashamir Potit, arrin në rreth 5.800, ndërsa pjesa e tregut që ajo mbulon vlerësohet prej tij në afro 45%. Gama e produkteve përfshin rafte metalike për markete dhe magazina, rafte anësore, frigoriferë, banakë frigoriferikë, kasa arke dhe pajisje të tjera për organizimin e hapësirave tregtare. Kompania ofron si produkte të reja, ashtu edhe të përdorura, duke iu përshtatur kapaciteteve dhe kërkesave të ndryshme të bizneseve.
Përveç furnizimit, Poti SHPK ofron zgjidhje të personalizuara për çdo ambient. Stafi i saj realizon projektimin e vendosjes së rafteve, në bazë të përmasave të hapësirës, si dhe përshtatjen e tyre përmes shkurtimit, zgjatimit dhe modifikimeve të nevojshme. Një shërbim i rëndësishëm është edhe montimi në terren, mirëmbajtja dhe asistenca teknike. Kompania u përgjigjet kërkesave të klientëve edhe jashtë orarit të zakonshëm të punës, përfshirë ndërhyrjet gjatë natës, kur supermarketet dhe bizneset kanë nevojë për riorganizimin e ambienteve.
Për më tepër, ndiqni emisionin e plotë në kanalin e YouTube të TV Klan!
/tvklan.al









