Historia e sipërmarrjes shqiptare në Itali, Poti Group, ishte në fokus të emisionit “Pro Business” në TV Klan. Një rrugëtim 25-vjeçar, i nisur nga emigracioni dhe puna e palodhur, që sot është shndërruar në një histori suksesi në tregun italian dhe atë ndërkombëtar, duke u kthyer lider në montimin e supermarketeve, magazinave, kapanoneve dhe rafteve metalike.
Në këtë reportazh, “Pro Business” solli nga Bolonja historinë e familjes Poti, sipërmarrësve shqiptarë që kanë arritur të ndërtojnë një grup të konsoliduar biznesesh, duke krijuar ura bashkëpunimi mes Shqipërisë, Italisë dhe tregjeve të tjera ndërkombëtare.
Rrugëtimi i bashkëthemeluesit të kompanisë, Astrit Poti, nisi në vitin 1992, kur emigroi drejt Greqisë, ku punoi për gjashtë vite. Në vitin 1998 u zhvendos në Itali, ndërsa një vit më vonë nisi të punonte si montator i rafteve metalike. Falimentimi i kompanisë ku ishte i punësuar u bë pikënisja e një kapitulli të ri. Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vendosi të krijonte biznesin e vet, duke mos braktisur punonjësit që kishin ardhur nga Shqipëria dhe që kishin besuar tek ata.
Nga një magazinë e vogël prej rreth 500 metrash katrorë, aktiviteti u zgjerua gradualisht, duke u shndërruar në një grup biznesesh që sot operon në fushën e konstruksioneve metalike, sistemeve të magazinimit, montimit industrial dhe tregtimit të pajisjeve e makinerive të ndryshme.
Gjatë intervistës për “Pro Business”, Astrit Poti tregoi se kompania ka arritur të sigurojë një pozicion të rëndësishëm në tregun italian, veçanërisht në sektorin e rafteve metalike të përdorura, ku, sipas tij, zotëron 55–60 për qind të tregut. Aktiviteti i saj shtrihet përtej Italisë, ndërsa ndër klientët e përmendur janë kompani të njohura si Barilla, CEVA Logistics dhe Amazon.
Një tjetër tregues i rritjes së kompanisë është numri i punonjësve. Nga 12 punonjës në fillimet e saj, Poti Group sot ka më shumë se 400 të punësuar në të gjithë grupin. Kompania disponon tri pika magazinimi në Bolonjë, ndërsa aktivitetin tregtar e shtrin në të gjitha rajonet e Italisë.
Dimensionet e kësaj sipërmarrjeje pasqyrohen edhe në shifrat financiare. Sipas Astrit Potit, Poti Group realizon një faturim vjetor prej rreth 47 milionë eurosh. Për më tepër, kompania është vlerësuar për tri vite radhazi, 2023, 2024 dhe 2025, ndër 1 mijë kompanitë më të suksesshme në Bolonjë, ndërsa ka marrë edhe certifikimin për vitin 2026.
Reportazhi u ndal gjithashtu te zgjerimi i aktiviteteve të grupit, ku secili prej vëllezërve ka marrë përgjegjësinë për menaxhimin e bizneseve të ndryshme, të bashkuara nën logon Poti Group. Përveç sistemeve të magazinimit dhe strukturave metalike, grupi operon edhe në tregtimin dhe dhënien me qira të makinerive industriale, si dhe në shitjen, dhënien me qira dhe mirëmbajtjen e automjeteve.
Bashkëthemeluesi Osman Poti shpjegoi se zgjerimi i aktiviteteve ka ardhur si rezultat i njohjes së vazhdueshme të nevojave të klientëve. Prania pranë tyre dhe ofrimi i shërbimeve të integruara kanë qenë ndër faktorët që kanë ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë.
/tvklan.al






