Kostot ekonomike dhe psikologjike të protestave, ndikimi te bizneset dhe investitorët e huaj, si dhe nevoja për më shumë investime publike, ishin ndër çështjet e diskutuara në pjesën e parë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, ku e ftuar ishte ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Gjatë diskutimit, Radonshiqi theksoi se pasojat e protestave nuk kufizohen vetëm te dëmet materiale, por shtrihen edhe te pasiguria financiare e qytetarëve, konsumi, turizmi dhe klima e të bërit biznes në vend.

“Në fund, faturën e kësaj proteste do ta paguajmë ne”, u shpreh ekspertja, duke shpjeguar se dëmet në objektet publike financohen nga taksat e qytetarëve, ndërsa kostot e bizneseve mund të reflektohen te çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Sipas saj, incidentet dhe dëmtimet mund të ndikojnë negativisht edhe në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik, duke rrezikuar rezervimet për muajt nëntor dhe dhjetor. Një situatë e paqëndrueshme mund të ndikojë gjithashtu në vendimmarrjen e investitorëve të huaj, të cilët mund të zgjedhin të shtyjnë planet e tyre deri në stabilizimin e situatës.

Një tjetër aspekt i trajtuar ishte ndikimi te sistemi bankar dhe qytetarët, veçanërisht për shkak të mbylljes së përkohshme të disa filialeve dhe shqetësimeve lidhur me depozitat. Radonshiqi nënvizoi rëndësinë e edukimit financiar dhe të menaxhimit të rrezikut në periudha pasigurie.

Përtej kostove të protestave, diskutimi u përqendrua edhe te problematikat ekonomike dhe sociale që kërkojnë zgjidhje afatgjata, përfshirë korrupsionin, informalitetin, investimet publike dhe mbështetjen për sektorët e ndjeshëm të ekonomisë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua vështirësive ekonomike të studentëve, veçanërisht kostove të larta të jetesës dhe strehimit në Tiranë. Si pedagoge, Radonshiqi vlerësoi se rritja e bursave dhe subvencionimi i qirave mund të ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare për studentët që vijnë nga rrethet.

“Qeveria mund të ndërhyjë përmes rritjes së bursave, madje duke shqyrtuar mundësinë e dyfishimit të tyre, si dhe përmes subvencioneve për studentët që jetojnë me qira dhe nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e larta të strehimit”, u shpreh ajo.

Në përfundim, ekspertja theksoi rëndësinë e dialogut për të shmangur zgjatjen e situatave të tensionuara dhe për të gjetur zgjidhje që i shërbejnë ekonomisë dhe qytetarëve. Ajo nënvizoi gjithashtu se projektbuxheti i vitit 2027 duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje investimeve publike, të cilat mund të nxisin punësimin dhe rritjen ekonomike.

/tvklan.al