Kostoja e lartë e jetesës, qiratë, shpenzimet e përditshme dhe vështirësitë për të siguruar pavarësinë financiare ishin në fokus të pjesës së dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan.
Fillimisht, përmes një interviste, i riu Uesli Guci solli përvojën e tij si student dhe më pas, në studio, eksperti i karrierës Erjon Muça analizoi sfidat me të cilat përballen të rinjtë në tregun e punës.
Guci, i sapodiplomuar në inxhinieri softuerike në Institutin Kanadez të Teknologjisë, tregoi se gjatë studimeve është detyruar të punojë për të përballuar një pjesë të shpenzimeve, por të ardhurat nuk i kanë mjaftuar për të mbuluar të gjitha kostot, përfshirë tarifat universitare dhe jetesën.
Sipas tij, studentët që vijnë nga rrethet përballen me një barrë edhe më të madhe financiare, për shkak të qirave dhe kapaciteteve të kufizuara të konvikteve. Ai vlerësoi se shpenzimet mujore mund të arrijnë në 50–60 mijë lekë edhe për studentët që kursejnë, ndërsa për një jetesë më të mirë mund të shkojnë në 70–80 mijë lekë.
“Ne po mbijetojmë, me pak fjalë, dhe prapë nuk po ia dalim as të mbijetojmë”, u shpreh Guci, duke theksuar se edhe të rinjtë që punojnë gjatë studimeve shpesh kanë nevojë për mbështetjen financiare të familjeve.
Ai shprehu mbështetjen për protestën studentore, duke e konsideruar atë një të drejtë kushtetuese, por u bëri thirrje protestuesve të shmangin dhunën dhe dëmtimin e pronës private. Sipas tij, të rinjtë duhet të kërkojnë ndryshim përmes angazhimit konkret dhe respektimit të ligjit.
Në analizën e zhvilluar në studio, Erjon Muça u ndal te mospërputhja mes kostove të jetesës dhe të ardhurave që të rinjtë mund të sigurojnë në fillim të karrierës. Ai theksoi se shumë studentë punojnë gjatë studimeve, por të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e akomodimit, ushqimit dhe nevojave të tjera bazë.
Muça nënvizoi gjithashtu se tregu tradicional i punës nuk u përgjigjet gjithmonë pritshmërive të brezit të ri, i cili kërkon më shumë fleksibilitet, pavarësi dhe mundësi zhvillimi profesional. Si zgjidhje, ai sugjeroi forcimin e programeve të praktikave dhe nxitjes së punësimit, si dhe mbështetjen e ideve sipërmarrëse dhe startup-eve të krijuara nga të rinjtë.
Duke folur për të ardhurat e nevojshme për një jetë të pavarur, eksperti vlerësoi se një i ri ka nevojë për të paktën 1 200–1 300 euro në muaj për të përballuar një jetesë bazike dhe modeste, ndërsa për të mbuluar edhe shpenzime për trajnime dhe zhvillim profesional do të nevojiteshin rreth 1 500–1 600 euro.
Në përfundim, diskutimi evidentoi nevojën për më shumë mundësi punësimi cilësor, përputhje më të mirë mes arsimit dhe tregut të punës, si dhe politika që u mundësojnë të rinjve të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
/tvklan.al






