Kjo e premte, 20 mars, solli një mbrëmje plot tension, emocione të forta dhe një kthesë të papritur në skenën e “X Factor Kids”. Teksa publiku priste me ankth vendimin final dhe konkurrentët qëndronin me zemrën “e ngrirë”, gjithçka mori një drejtim krejtësisht ndryshe nga sa ishte parashikuar.

Në gjysmëfinalen e spektaklit, katër talentet e rinj, Alex Gjonaj, David Kerri, Kejsi Sinani dhe Eden Dani dhuruan performanca që elektrizuan skenën dhe ngritën në këmbë publikun. Çdo notë dhe çdo interpretim ishte një betejë më vete për të siguruar një vend në finale.

Por kur të gjithë prisnin momentin e vështirë të eliminimit, moderatorja Alketa Vejsiu “theu” skenarin: nuk do të kishte asnjë largim. Në një vendim që surprizoi publikun dhe vetë konkurrentët, u shpall se të katërt finalistët do të vazhdojnë rrugëtimin drejt finales së madhe.

Një natë që nisi me ankth dhe përfundoi me gëzim, duke e kthyer këtë gjysmëfinale në një nga momentet më të paharrueshme të këtij sezoni. Finalja tashmë premton spektakël të vërtetë, ku katër yje në ngjitje do të përballen për fitoren e madhe.

/tvklan.al